Lufta në Gazë, OBSH ngre alarmin: Fëmijët po vdesin nga uria
“Fëmijët po vdesin nga uria në Gazën veriore”, ka qenë ky alarmi i ngritur nga shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Tedros Adanom Gebrejsus (Adhanom Ghebreyesus) tha se vizitat e agjencisë gjatë fundjavës në spitalet Al-Awda dhe Kamal Adwan ishin të parat që nga fillimi i tetorit.
“Mungesa e ushqimit rezultoi në vdekjen e 10 fëmijëve dhe “nivele të rënda të kequshqyerjes”, ndërsa ndërtesat e spitaleve janë shkatërruar”, shkroi ai në një postim në rrjetet sociale.
Ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Gazë raportoi të dielën se të paktën 15 fëmijë kishin vdekur nga kequshqyerja dhe dehidratimi në spitalin Kamal Aduan.
Tedros raportoi “nivele të rënda të kequshqyerjes, fëmijë që vdesin nga uria, mungesa serioze të karburantit, ushqimit dhe furnizimeve mjekësore, ndërtesa spitalore të shkatërruara” në Gazën veriore, ku rreth 300 mijë njerëz jetojnë me pak ushqim ose ujë të pastër.
OKB-ja paralajmëroi javën e kaluar se uria në Gazës ishte “pothuajse e pashmangshme”.
Një zyrtar i lartë i ndihmës i OKB-së paralajmëroi se të paktën 576 mijë njerëz në të gjithë Rripin e Gazës – një e katërta e popullsisë – përballeshin me nivele katastrofike të pasigurisë ushqimore dhe një në gjashtë fëmijë nën moshën dy vjeç në veri vuanin nga kequshqyerja akut.