Lufta në Gazë, OKB paralajmëron: Sulmi në Rafah mund të çojë në një masakër
OKB ka paralajmëruar se një sulm izraelit në Rafah, qytetin më jugor të Gazës, mund të çojë në një masakër.
Shefi humanitar Martin Griffiths tha se palestinezët në Gazë po vuajnë tashmë një sulm që është i pashembullt në intensitetin, brutalitetin dhe shtrirjen e tij.
“Pasojat e një pushtimi të Rafahut do të ishin katastrofike. Ata, si e gjithë popullsia e Gazës, janë viktima të një sulmi që është i pashembullt në intensitetin, brutalitetin dhe shtrirjen e tij,” tha ai.
Në një deklaratë, Griffiths tha se mbi një milion njerëz ishin të fshehur në Rafah. Ai tha se civilët në qytet kishin pak ushqim ose akses në ilaçe dhe nuk kishte asnjë vend të sigurt për të shkuar.
Ndaj sipas Griffiths, “një pushtim izraelit i qytetit do të linte një operacion humanitar tashmë të brishtë në derën e vdekjes”.
Rafah është një qytet i vogël në jug të Rripit të Gazës në kufi me Egjiptin. Para luftës ishte shtëpia e rreth 250,000 njerëzve, por që kur Izraeli urdhëroi civilët të evakuoheshin nga jugu, popullsia e tij është rritur në rreth 1.5 milionë.
Shumë prej tyre jetojnë në tenda në kushte të dëshpëruara dhe thonë se nuk kanë ku të shkojnë.
Rafah ka qenë nën sulme të rënda ajrore izraelite ditët e fundit, me të paktën 67 njerëz të vrarë atje të hënën sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.
Nga ana e tij, Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu është zotuar se do t’i mposhtë personat e armatosur të Hamasit që ai thotë se janë fshehur në qytet./BBC