Lufta në Gazë, shtyhen bisedimet për armëpushimin në Doha
Bisedimet e planifikuara për të enjten në Doha midis palëve ndërluftuese në Gazë janë shtyrë për javën e ardhshme pas përfundimit të vizitës së Netanjahut në Uashington.
Marrëveshja parashikonte që bisedimet të vazhdonin pasi Netanjahu u takua me Presidentin e SHBA Joe Biden të mërkurën për të diskutuar një marrëveshje të mundshme fillimisht përpara se delegacioni izraelit të nisej për në Doha.
Referuar burimeve të AFP-së, mësohet se delegacioni do të largohet javën e ardhshme, duke shtyrë bisedimet e shumëpritura për një armëpushim që Netanjahu tha se ishte mjaft afër për t’u arritur.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA, Matthew Miller tha një ditë më parë se Sekretari i Shtetit Antony Blinken kishte diskutuar bisedimet me kryeministrin e Katarit Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani.
Ata “diskutuan çështjet e mbetura në tryezë dhe zgjidhje praktike për të kapërcyer dallimet midis palëve”, tha Miller.
Sekretari përsëriti se SHBA-ja vazhdon ta shohë një marrëveshje si kritike për sjelljen e pengjeve në shtëpi dhe për të lehtësuar vuajtjet e popullit palestinez.
Netanjahu ndodhet në Uashington ku mbajti edhe fjalimin e tij në Kongresin amerikan, ndërsa protestuesit kundër Netanjahut u mblodhën jashtë hotelit të tij dhe marshuan drejt Kapitolit, duke kërkuar t’i jepet fund ndihmës së SHBA-së për Izraelin.
Ai ishte sulmuar nga familjet e pengjeve të kapur nga Hamasi më 7 tetor për vonimin e fillimit të nisjes së delegacionit të tij në Doha nga e mërkura deri të enjten.
Einav Zangauker, e cila është nëna e një prej pengjeve, tha se Netanjahu “po pengon zbatimin e marrëveshjes për arsye personale”, duke shtuar se ai do të “vazhdojë të vonohet” në vizitën e tij në SHBA.
Në takimin e planifikuar për të enjten pritej të bashkoheshin edhe zyrtarë nga Egjipti, Shtetet e Bashkuara dhe Katari.