Lufta në Ukrainë, gjashtë të vdekur nga sulmi rus në Kharkiv
Të paktën gjashtë persona kanë vdekur në një sulm me dron rus në qytetin ukrainas Kharkiv. Kryebashkiaku Ihor Terekhov tha se dronët Shahed të prodhuar nga Irani kishin goditur disa ndërtesa, duke përfshirë blloqe apartamentesh.
Sulmet në Kharkiv, qyteti i madh më i afërt me kufirin rus, janë intensifikuar javët e fundit. Zyrtarët ukrainas kanë thënë se qyteti mund të jetë objektivi i një ofensive të ardhshme ruse.
“Ky sulm ndaj banorëve paqësorë të Kharkiv dëshmon edhe një herë se Rusia është një shtet terrorist”, shkroi Terekhov në aplikacionin Telegram. Të paktën 10 persona u plagosën nga sulmi, shtoi ai.
Fotot e pa verifikuara të publikuara nga policia ukrainase treguan ndërtesa të dëmtuara dhe të djegura. Disa ditë më parë forcat ruse sulmuan Kharkivin me dronë, duke lënë të paktën katër të vdekur, sipas zyrtarëve ukrainas.