Lufta Rusi-Ukrainë, Putini: Objektivat e luftës, të pandryshuara
Presidenti rus, Vladimir Putin ka thënë se paqja me Ukrainën do të ndodhë vetëm “kur t’i arrijmë objektivat tona”.
Komentet Putin i bëri gjatë konference maratonë për shtyp, teksa u shpreh se situata po përmirësohej në të gjithë vijën e parë.
“Ekzistenca e vendit tonë pa sovranitet është e pamundur. Thjesht nuk do të ekzistojë. Do të ketë paqe në Ukrainë kur të arrijmë objektivat tona. Ata objektiva nuk ndryshojnë”, tha ai, duke renditur “denazifikimin, çmilitarizimin dhe statusin e neutral.
Po ashtu ai tha se Rusia aktualisht ka një total prej 617 mijë trupash që luftojnë në Ukrainë. Ai pohoi gjithashtu se përveç 300 mijë njerëzve të thirrur për shërbim vitin e kaluar, 486 mijë të tjerë janë regjistruar vullnetarisht si ushtarë me kontratë.
Ai nuk dha asnjë numër të humbjeve ushtarake. Ndërkohë, një raport i klasifikuar i inteligjencës amerikane vlerësoi këtë javë se 315 mijë ushtarë rusë ishin vrarë ose plagosur që nga fillimi i luftës, që sipas tij ishte pothuajse 90% e personelit ushtarak rus në fillim të pushtimit./ BBC