Luftanijet ruse mbërrijnë në Kubë javën tjetër, por “nuk do kërcënojnë rajonin”
Katër anije ruse, bashkë me një nëndetëse me potencial bërthamor, pritet të mbërrijnë në Kubë javën tjetër.
Ministria e Jashtme kubane tha se anijet do të qëndrojnë në Havanë më 12–17 qershor, por nuk do të jenë të pajisura me ngarkesa bërthamore dhe as “nuk përbëjnë rrezik për rajonin”.
Një ditë më parë zyrtarët amerikanë thanë se ishin në dijeni të një flote luftarake ruse e cila do të mbërrinte në Karaibe për manovra ushtarake.
Manovra vjen në një kohë kur janë përshkallëzuar tensionet mes ushtrive perëndimore dhe asaj ruse për sa i përket Ukrainës. Uashingtoni ka thënë se prezenca ruse në rajon do të mbahet nën vëzhgim, por nuk përbën shqetësim.
Ndërkohë presidenti rus, Vladimir Putin, deklaroi së fundmi se Moska po shtyhet drejt marrjes së “hapave asimetrikë” si kundërpërgjigje ndaj vendimit të presidentit Xho Bajden (o. Joe Biden) për të lejuar përdorimin e armatimeve amerikane në brendësi të Rusisë për të mbrojtur Karkivin, qytetin e dytë më të madh në Ukrainë.
Ministria e Jashtme e Kubës ka thënë se katër anijet ruse që do të ankorohen në vend janë fregata “Gorshkov”, nëndetësja me fuqi bërthamore “Kazan”, anija-cisternë “Pashin” dhe rimorkiatori “Nikolai Çiker”. /AP