“Luftë” për mineralet e rralla, organizata e OKB: Gërmimet nëndetare janë të pashmangshme
Nxjerrja e mineraleve të çmuara poshtë oqeaneve mund të kthehet së shpejti në realitet, sipas shefit të Autoritetit Ndërkombëtar për Shtratin Detar (ISA), Majkëll Loxh (o. Michael Lodge).
Sekretari i Përgjithshëm i organizatës së OKB-së deklaroi në një intervistë për medien amerikane CNBC se niveli i interesit për gërmimet në det të thellë ka arritur nivele që nuk ishin parë prej viteve 1970.
“Një nga shtysat kryesore për industrinë është prodhimi i sasive të mëdha të minerale me kosto të barabartë ose më të ulët sesa ç’del nga toka. Kjo është shtysa ekonomike dhe sigurisht që ka potencial të madh burimesh minerare në shtratin e detit. Teknologjia ka avancuar dhe duket e mundur. Është e qartë se kërkesa për minerale po rritet në mënyrë eksponenciale dhe do vazhdojë të rritet,” u shpreh z. Loxh.
Komentet u bënë teksa ISA po përgatitet të rifillojë bisedimet për gërmime nëndetare në Kingston të Xhamajkës.
ISA është themeluar 30 vite më parë dhe mbikëqyr veprimtaritë e gërmimeve nënujore në një zonë që mbulon rreth 54 për qind të oqeaneve të botës.
Grupi përbëhet nga 168 shtete anëtare, mes tyre Shqipëria që nga viti 2003 dhe Bashkimi Europian, por jo SHBA-ja.
Deri më tani, 24 shtete nga e gjithë bota kanë bërë thirrje për një moratorium të gërmimeve nënujore, ndërsa ndërmarrjet shumëkombëshe si Google, Samsung dhe Volvo janë zotuar se nuk do të përdorin asnjë mineral që vjen nga shtrati i detit.
Ekosistemet detare nuk kuptohen mirë. Ambientalistët kanë frikë se aktivitetet e eksplorimit dhe shfrytëzimit të detit të thellë mund të ndryshojnë përgjithmonë shtëpinë unike për speciet e njohura dhe ende të panjohura. /CNBC