Lugina e Kirit, turistët: Prekali, vendi ideal për të qëndruar në ajrin e freskët
Lugina e lumit të Kirit, gjendet pak kilometra larg qytetit të Shkodrës në drejtim të zonës së Dukagjinit. Vitet e fundit lugina e Kirit nga Ura e Shtrenjtë deri në Prekal ka filluar të tërheqë turistë vendas dhe të huaj, të cilët mrekullohen nga bukuria natyrore e kësaj lugine rrethuar nga malet e larta.
Banorët vendas merren kryesisht me punët e bujqësisë, por verës ata mundohen të shfrytëzojnë edhe sezonin turistik duke mikëpritur turistë nga e gjithë bota.
Pastërtia kristal e ujit të lumit, ajri i freskët i maleve dhe pyjet që e rrethojnë atë, e bëjnë këtë vend tërësisht përrallor dhe vendin ideal për një fundjavë relaksi larg zhurmës. Në ujërat e ftohta të Prekalit rritet trofta e cila tashmë ka krijuar habitatin e saj.