Luhatje të euros në treg, blerjet e bankave dhe importuesve mposhtin fluksin e turistëve
Grafikët e këtyre ditëve të fundit në kursin e këmbimit të monedhës europiane dhe asaj shqiptare tregojnë një forcim të përkohshëm të së parë dhe një nënçmim të lekut shqiptar.
Pavarësisht prurjeve të bollshme të monedhës europiane që vijnë nga eksportet, por sidomos nga rritja e numrit të vizitorëve të huaj në Shqipëri, euroja ka qenë e kërkuar në treg. Bankat tregtare kanë pasur nevojë të këmbejnë lekun me këtë monedhë, për të paguar në fundmuaj, sikundër edhe bizneset importuese, duke bërë që rritja të jetë deri diku e ndjeshme
Por, kjo është një tendencë e përkohshme sipas njohësve të tregut të këmbimit valutor. Ekonomia po performon mirë, parashikimi për rritjen e pagave, rritja e konsumit dhe e importeve, por sidomos shtimi i pandalshëm i vizitorëve të huaj e venë rritjen e mëtejshme të euros në raport me monedhën shqiptare, në një raport luhatshmërie të përkohshme.
Viti 2023 shënoi përmirësime edhe në ekuilibrat e brendshëm e të jashtëm të ekonomisë, sipas analizës së bërë edhe nga Banka e Shqipërisë. Investimet e huaja direkte regjistruan një rekord historik prej 1.5 miliard eurosh, ecuria e mirë e eksporteve shqiptare, rriti me 1.7 miliard euro prurjet e monedhës së huaj, por edhe atraktiviteti i dyfishtë i Shqipërisë, si destinacion turistik dhe destinacion investimi bënë që niveli i rezervave valutore të Bankës së Shqipërisë të regjistrojë një rekord historik prej 5.8 miliardë eurosh.
Në veçanti, forcimi i lekut ka qenë dhe vijon të jetë një nga zhvillimet më të diskutuara ekonomike të kësaj periudhe. Autoriteti monetar kombëtar thotë se trendi forcues i kursit të këmbimit të lekut ka ardhur edhe si pasojë e përmirësimit të bilancit të shkëmbimeve tregtare dhe financiare të Shqipërisë me botën, të pasqyruara në rritjen e eksporteve, e kryesisht atyre të turizmit, të remitancave dhe të investimeve të huaja direkte. Kjo do të thotë se forcimi i lekut do të vijojë të këtë një ndikim tërësor pozitiv në ekonomi, që fillon nga kontrolli i inflacionit, rritja e fuqisë blerëse të familjeve shqiptare, si dhe kosto të ulëta të financimit të bizneseve.
Kursi pretendohet të jetë i luhatshëm edhe në një periudhë afatmesme, me tendencën e forcimit të monedhës vendase.
Gazetar: Bardhi Sejdarasi