LZHK dhe Djathtas 1912 hyjnë në koalicion, Shehi fton aleatët: Ka vend për të gjithë!

LZHK dhe Djathtas 1912

Lëvizja për Zhvillim Kombëtar (LZHK) dhe partia Djathtas 1912 zyrtarizuan të hënën krijimin e koalicionit për zgjedhjet e 11 majit 2025.

Një nga nismëtar e grupimit opozitar, kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi, tha se partitë e tjera në pakicë duhet të jenë të qeta nga ky bashkim, pasi kundërshtari i tyre mbetet i njëjti: qeveria.

Sigurisht që i gjithë koalicioni ka një qëllim në radhë të parë, të rrëzojë qeverinë që kemi përballe dhe Edi Ramën.

Unë si garant i listës ftoj gjithë palët në bllokun opozitar që të jenë të qetë se do të respektohen të gjitha rregullat e lojës, të ndershmërisë. Ka vend për të gjithë. Kemi fatin e madh të gjitha partitë alternativa, jo të reja apo të vogla e të mëdha, se kanë një hapësirë prej 140 deputetësh. Është shans i madh për të gjithë ata që mendojnë me tërë mend të krijojnë një hark të madh opozitar,” deklaroi z. Shehi.

Koalicioni nuk ka ende një emërtim të qartë dhe palët nënshkruese thanë në aktivitetin prezantues se do të presin datën 3 mars për ta bërë të njohur, siç i detyron ligji.

Ata që mund të jenë kontribues mund ta mendojnë ndryshe nga ne emrin. Edhe format e bashkëpunimit në nivel qarku e lokal i lëmë të hapura. Gjithsesi koha nuk punon për ne. Kemi një javë kohë. I ftoj të gjithë ata kolegë që kanë dëshirë të na bashkohen, individë, lëvizje qytetare, shoqëria civile, kontribues në jetë publike qytetare të Shqipërisë, t’i bashkohen kësaj liste të hapur, që është formula më e fisme,” shtoi z. Shehi.

Edvin Kulluri, bashkëthemeluesi i partisë Djathtas 1912, së bashku me kryetarin e saj, Enkelejd Alibeaj, thanë se koalicioni i ri ndërtohet mbi parimin e tolerancës, çdo do të reflektohet edhe në përbërjen e listave të kandidatëve për deputetë.

Nëse një parti ka disa kandidatë që i gjykojmë më të mirë se subjektet e tjera, do të tolerojmë palët e tjera dhe anasjelltas. Ky koalicion, ky bashkim për princip, jo vetëm për kundërshti ndaj [Sali] Berishës apo Ramës, mund të funksionojë vetëm nëse nuk ka protagonizma personale të subjekteve politike. Ne jemi të hapur në çdo moment, për çdo subjekt politik, jo vetëm për grupimin që drejton z. [Lulzim] Basha. Siç e kemi thënë, përpjekja e PS dhe PD për të mbyllur listat, për të mbyllur kohën zgjedhore televizive: 95 për qind për vete dhe 5 për qind për partitë e tjera. Meqenëse partitë politike të mëdha nuk kanë pranuar të reformohen ne jemi zotuar që ta reformojmë sistemin politik nëpërmjet garës parlamentare. Në këtë koalicion askush nuk i tregon vendin askujt,” u shpreh z. Kulluri.

Kryetari i LZHK-së tha se ata janë realistë në pritshmëritë për sa i përket rezultatin elektoral.

Ne nuk jemi nga ata që thonë do të marrim 71 deputetë. Ne do të japim kontributin tonë për fitore në kampin opozitar. Ne duam të marrim të gjitha votat e atyre që mendojnë si ne, qofshin gri, të bardha, rozë. Ka me mijëra socialistë që i kanë ardhur në majë të hundës Edi Rama,” tha z. Shehi.

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.