LZHK: Nuk atakohet drejtësia, partitë kanë marrë përsipër rolin e prokurorit e gjykatësit

Bashkëkryetarët e Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar (LZHK), Dashamir Shehi dhe Ekrem Spahia, kanë dalë në mbrojtje të sistemit të drejtësisë, duke deklaruar për mediet se partitë politike nuk mund të marrin përsipër të bëjnë rolin e prokurorëve dhe gjykatësve.
Duke u ndalur konkretisht te arrestimi i Kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, Shehi u shpreh se SPAK dhe GJKKO po sulmohen hapur nga partitë kryesore në vend. Sipas tij, dy strukturat e drejtësisë po mundohen të funksionojnë përballë krimit të organizuar e korrupsionit dhe nën presionin politik.
“Rasti më i fundit është Kryeministri Rama, që inicioi sulme publike ndaj prokurorëve të SPAK dhe gjyqtarëve të GJKKO duke kundërshtuar arrestimin e kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndaj të cilit reaguan edhe organet e drejtësisë dhe ndërkombëtarët”, deklaroi Shehi.
Kur duhet dhe më pak se një muaj për të bërë regjistrimin e kandidatëve, për parlamentaret e 11 majit, LZHK-ja, si forcë politike opozitare dhe parlamentare, thotë se bisedimet me aleatët ende nuk janë mbyllur. Sipas drejtuesit Shehi, listat do të jenë të hapura.
Duke u ndalur më tej edhe te zgjedhjet e 11 majit, Shehi u bëri thirrje qytetarëve shqiptarë në vend dhe diasporë, që të jenë të vëmendshëm ndaj votës së tyre. Për sa i përket votës së diasporës ai e vuri theksin te modeli i Kosovës, që “duhet vleresuar”.
“LZHK shpreh qëndrimin e saj se drejtësia duhet të funksionojë efektivisht dhe në mënyrë të paanshme për këdo, veçanërisht për tu dhënë zgjidhje dhjetëra-mijëra dosje të qytetarëve që po presin për dekada për të marrë drejtësi. Kjo situatë në drejtësi në prag të zgjedhjeve u bën apel të gjithë shqiptarëve në vend dhe nga diaspora të jenë të vëmendshëm ndaj votës së tyre duke e adresuar atë në dobi të qytetarëve”, deklaroi Shehi.