M.Madhe një viktimë dhe një i plagosur/ Aksidenti në Omaraj i merr jetën 77 vjeçarit
2 ngjarje të rënda kanë tronditur Malësinë e Madhe përgjatë 24 orëve të fundit. Pasditën e së shtunës, në afërsi të stacionit hekurudhor, në fshatin Fermë, Malësi e Madhe, në rrethana ende të paqarta, 4 shtetas nga vendet e treta janë konfliktuar me disa shtetas ende të paidentifikuar dhe për pasojë ka mbetur i plagosur me armë zjarri, shtetasi afgan A. Z. 17 vjeç. Shërbimet e Policisë, po këqyrin zonën dhe po marrin në pyetje 3 shtetasit që ishin me 17-vjeçarin, i cili është dërguar në spital, për mjekim.
Ndërkohë që në orët e para të mëngjesit , në aksin rrugor Shkodër – Koplik, në afërsi të fshatit Omaraj, mjeti me drejtues shtetasin me iniciale E. I., 24 vjeç, banues në Gostivar, Maqedoni e Veriut, ka përplasur shtetasin këmbësor M. P., 77 vjeç, banues në Omaraj, Malësi e Madhe. Si pasojë e përplasjes, i moshuari ka humbur jetën. Ndërkohë drejtuesi i automjetit është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Shkodër. Aksi Shkodër-Hani hotit vijon të përgjaket çdo vit me dhjetëra viktima, ku ndër shkaqet kryesore renditet ajo e mungesës së ndriçimit. Por pavarësisht bilancit vdekjeprurës ende asnjë masë nuk është marrë për plotësimin e saj me sinjalisitikën e nevojshme apo me mbikalime në zonat e banuara.