Maca nënkampion Evrope, boksieri i klubit shkodran humbi në finale me ukrainasin Guliyev

Ka përfunduar konkurimin në Kampionatin Europian të Boksit U18, boksieri kuqezi i klubit shkodran të boksit, Boxing North Albania, Adam Maca. Pas një rrugëtimi të shkëlqyer në turet e mëparshme ku kaloi me shumë sukses boksierë të përgatitur dhe emër në rang Europian, mes të cilëve edhe kampionin e Europës në fuqi, bullgarin Konstandin Yordanov Kostov, talenti i boksit shqiptar, u kualifikua në finalen e këtij Europiani. Duke pasur përballë, boksierin nga Ukraina, Rasul Guliyev, Adam Maca demonstroi në ring një formë shumë të mirë sportive. Referuar ecurisë së kësaj ndeshje, specialistët e boksit që e ndoqën prej së afërmi duelin, nuk nguruan ta cilësonin si një ndeshje të shkëlqyer të boksierit të përfaqësues tonë. Në fakt, objektivat dhe synimet e Macës dhe trajnerit të tij, Klaodio Çekini, ishin për fitimin e titullit kampion të Europës për peshën deri në 57 kg, dhe realisht edhe ndeshja po fliste në favorin e tij. Por, në raudin e fundit, falë edhe një lëvizje më ritmike të kundërshtarit duket se bindi gjyqtarinë për t’ia dhënë fitoren boksierit ukrainas Rasul Guliyev. Gjithsesi, vendi i dytë dhe titulli nënkampion Europe për Adam Macen është një arritje shumë e madhe për boksin shqipëtarë, ku një meritë të padiskutueshme këtu ka edhe trajneri i tij Klaudio Çekini .