Maji i luleve dhe festivaleve/Ky muaj pritet të ketë një kalendar të ngjeshur aktivitetesh kulturore
Muaji maj është konsideruar ndryshe edhe si muaji i luleve pasi në këtë kohë nis të evidentohet edhe më shumë lulëzimi i tyre. Shkodra çdo vit feston Ditën e Luleve ndaj edhe ky 6 maj pritet të shndërrohet në ditë feste për qytetin ku gëzojnë e festojnë të gjitha grupmoshat duke nisur nga fëmijët e për
të vijuar me të rriturit. Aktivitetet kulturore përgjatë këtij muaji pritet të jenë disa. Festa e Luleve është vetëm njëra prej tyre.
Teatri “Migjeni” përpos lajmit të mirë në lidhje me investimet e pritshme në të përgjatë këtij muaji do të rezervojë shfaqje të ndryshme ku më të afërtat janë ato të premierës “Shfaqja që shkon keq” me të rinjtë e talentuar të festivalit teatror për të rinj nën regjinë e Fritz Selmanit dhe Gerti Palalit më 2 maj ndërsa në datat 3 dhe 4 maj për publikun shkodran do të shfaqet Stand-p Komedi – Bar. Gent Hazizi me “Krejzi Brother” dhe Besnik Mustafaj me “Më fal o Atë se nuk e di ç’them” do të jenë protagonistët kryesorë të skenës.
Biblioteka “Marin Barleti” ka qenë gjatë gjithë kohës aktive me takime autoriale, promovime dhe festivale dedikuar librit. Ato pritet të jenë të vazhdueshme edhe përgjatë muajit maj. Galeria e Arteve e Shkodrës pritet të sjellë ekspozitën “Për Tefën”, një prej figurave emblematike të Shkodrës, Shtjefën Palushit në datën 3 maj por kjo nuk do të jetë e vetmja përgjatë këtij muaji. Çmimi “Pjetër Gaci” tashmë tradicional në organizimin e tij do të shënojë edicionin e tij të 23-të. Konkursi ndërkombëtar do të mbahet në datat 23, 24, 25 dhe 26 maj. Ky muaj mbyllet me Festivalin Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë, edicioni i 62-të do të mbahet në datat 30 dhe 31 maj ndërsa finalja në datën 1 qershor.