Majore Pëllumaj rrëfen rrugëtimin e saj në ushtri: Sfidat e mia për t’u bërë pjesë e Forcave të Armatosura
Majore, Denisa Pëllumaj ka rrëfyer për emisionin “Jetë Shqiptare” rrugëtimin e saj në ushtri dhe sfidat me të cilat ajo përballet.
Pëllumaj ka rrëfyer se si lindi dëshira e saj për t’u bërë pjesë e Forcave të Armatosura.
Ajo ka shpjeguar se është ndikuar edhe nga i ati i saj, një ish-ushtarak, aktualisht në rezervë.
“Babai im është një ish-ushtarak i Forcave të Armatosura, aktualisht është në rezervë dhe gjithmonë jam rritur me seriozitetin, me karakterin e një ushtaraku. Kur u rrita mendova që pse jo, të bëhem edhe unë pjesë e Forcave të Armatosura dhe u pranova në vitin 2005 dhe i përfundova studimet në vitin 2009”, u shpreh Pëllumaj.
Ajo vuri në dukje disa nga pjesëmarrjet e saj dhe misionet në ushtri, kryesisht jashtë vendit. Pëllumaj tha gjithashtu se ka shërbyer në radhët e KFOR-it në Kosovë dhe më pas përmes trajnimeve arriti të bëhet edhe majore.
“Pjesëmarrja në misionin paqeruajtës në Kosovë, në KFOR, aty kam shërbyer për mbi 6 muaj. Isha një oficere e projekteve. Është ndryshe të jesh në një trajnim sepse ke atë jetën e lirë pas orarit të mësimit. Ndërsa kur je 24 orë në detyrë në 7 ditë të javës. Nëse do të përparosh në ushtri duhet të bësh trajnime sepse unë kam filluar si nëntogere në vitin 2009 dhe nëpërmjet trajnimeve u titullova togere e më pas kapitene. Prej vitit 2021 jam majore”, tha për “Jetë Shqiptare”, majorë Denisa Pëllumaj.