Malltezi u la në burg, avokatët e dhëndrit të Berishës dërgojnë në Apel shtesën e ankimit
Avokatët e dhëndrit të ish-kryeministrit, Sali Berisha, Jamarbër Malltezi kanë dorëzuar në Apelin e Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit shtesën e ankimit për revokimin e masës së sigurisë “arrest me burg”.
Dhëndri i ish-kryeministrit Berisha, Jamarbër Malltezi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash në rastin e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani” gjatë kohës që Berisha ishte kryeministër i vendit (2005-2013).
Përveç arrestit me burg ndaj Malltezit, Gjykata e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit ka caktuarsot masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, ndaj ish-kryeministrit Berisha si dhe i bllokoi pasaportën në kuadër të hetimeve të SPAK për privatizimin e kompleksit Partizani në kryeqytet.
“Ish-kryeministri Berisha akuzohet për korrupsion pasiv të kryer në bashkëpunim, neni 260 dhe 25 i Kodit Penal. Ndërsa dhëndri i tij akuzohet për korrupsion pasiv në bashkëpunim neni 260 dhe Pastrim i Produkteve në bashkëpunim me Fatmir Bektashin me nenin 287 i K.Penal”, thuhet në dosjen e SPAK.
Avokatët e dhëndrit të ish-kryeministrit Berisha, e ankimuan vendimin e Gjykatës Kundër Krimit dhe Korrupsionit të shkallës së parë duke e dërguar në apel. Ndërkohë sot kanë dorëzuar në këtë gjykatën e Apelit edhe argumentet shtesë të ankimit, me synimin për të rrëzuar vendimin e shkallës së parë.