Manastirliu: 25 laboratorë të Inteligjencës Artificiale në shkolla
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, bëri të ditur se fakti që në shkollat shqiptare ka 25 laboratorë të Inteligjencës Artificiale, është një bazë shumë e mirë për të rritur akoma më shumë numrin e laboratorëve të Inteligjencës Artificiale, por mbi të gjitha të përfituesve të këtyre laboratorëve.
Zonja Manastirliu ishte në Gjimnazin “Myslym Keta”, ku tha se brenda 2 viteve do të ketë 2000 nxënës, të cilët do të trajnohen për programet e Inteligjencës Artificiale si dhe më shumë se 140 mësues.
Ministrja Manastirliu vuri theksin te Programi i Zhvillimit Profesional të Mësuesve, si një program dedikuar për formimin e vazhdueshëm të mësuesve, me një fokus të veçantë tek ata që mësojnë shkencat, gjuhët dhe teknologjinë (TIK). Ky program, tha Manastirliu, synon të mbështesë dhe të fuqizojë mësuesit në përmirësimin e aftësive digjitale, duke iu përgjigjur nevojave në zhvillimin e metodologjive të mësimdhënies në një botë gjithnjë e më të ndikuar nga teknologjia.
Shkolla “Myslym Keta” në Kombinat, po i nënshtrohet rikonstruksionit, me financim nga programi “EU4Schools”, zbatuar nga UNDP. Gjatë vizitës, Ministrja theksoi se brenda këtij viti, shkolla do të transformohet për të ofruar kushte të standardeve bashkëkohore. Kjo përfshin zgjerimin e kapaciteteve me klasa të reja, një palestër të re dhe një bibliotekë bashkëkohore.
Ministrja shtoi se qëllimi është që brenda vitit të përfundojë rehabilitimi i 100 shkollave, nëpërmjet buxhetit të Ministrisë, bashkive dhe Programit të Rindërtimit, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtare.