Manastirliu: Bashkëpunim me organizatat e OKB-së për rritjen e cilësisë së arsimit
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu zhvilloi sot një takim me Koordinatoren e Përhershme të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, Fiona McCluney dhe drejtuesit e organizatave të UN në Shqipëri.
Manstirliu priti sot në takim drejtuesen e UNDP-së, Monica Merino, të UNICEF-it Edina Kozma, të “UN Women Albania”, Michele Ribotta si dhe të UNFPA, Elsona Agolli.
Ministrja informoi se në takim u diskutua për planin e punës për zbatimin e programeve të përbashkëta për arsimin dhe edukimin e fëmijëve pjesë e “Agjendës 2030”, me synim arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.
Sipas saj, investimet në institucionet arsimore përmes programit “EU4Schools” të zbatuara nga UNDP, bashkëpunimi për fuqizimin e bërthamave të karrierës në shkolla dhe nxitja e promovimi i arsimit profesional ishin në qendër të takimit.
Po ashtu në takim u diskutua edhe mbi zgjerimin e SMART Labs në shkolla, si dhe programet për trajnimin dhe rritjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore në sistemin arsimor.
“Këto ishin në qendër të bashkëbisedimit me partnerët tanë, për të bashkuar forcat, me synim gjithëpërfshirjen dhe rritjen e cilësisë së arsimit në vend”, shtoi Ministrja.
1 nga 5