Manastirliu: Do hapet në Tiranë dega e Kolegjit të Europës. 5 bursa vjetore për studentët shqiptarë
Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu ka bërë me dije se do të hapet në Tiranë dega e Kolegjit të Europës. Pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë, Manastirliu tha se kjo degë e Kolegjit të Europës do t’i hapë studimet në vitin e ri shkollor, 2024-2025.
Ministrja theksoi se qeveria do të financojë 5 bursa vjetore për studentët shqiptarë.
“Kemi miratuar një vendim të rëndësishëm sa i përket dimensionit europian të arsimit të lartë. Hapja e Kolegjit të Europës shënon një partneritet strategjik të Shqipërisë dhe Institucioneve Europiane, por i hap edhe mundësinë studentëve, profesionistëve të Shqipërisë por dhe më gjerë për të studiuar në Tiranë në degën e Kolegjit të Europës. Do t’i hapë studimet në 2024-2025. Shqipëria është angazhuar që të financojë deri në 5 bursa vjetore për studentët shqiptarë. Kjo është një ngjarje historike”, tha Manastirliu.