Manastirliu: Konkurs për 200 pozicione për drejtues shkolle
Janë çertifikuar nga Shkolla e Drejtorëve edhe 240 mësues pjesëmarrës të programit të trajnimit përgatitor për drejtues të shkollave të arsimit parauniversitar.
“Janë 240 aspirantë dhe drejtues shkollash që sot çertifikohen nga Shkolla e Drejtorëve dhe në gjithë këto vite janë më shumë se 800 drejtues aspirantë, të cilët janë çertifikuar nga kjo shkollë. Në qoftë se deri dje, dhe këtu i referohem viteve më parë, që nga mësuesit, deri tek drejtorët e shkollave, i zgjidhte partia, i zgjidhte miku, apo ndonjë praktikë abuzive, tashmë u bënë vite që mësuesit zgjidhen përmes portalit ‘Mësues për Shqipërinë’ dhe drejtuesit e shkollave nëpërmjet një garancie të fortë, sikurse është shkolla e drejtorëve”, tha Manastirliu.
Nga ceremonia e çertifikimit të brezit të pestë të shkollës së drejtorëve, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, ka bërë me dije hapjen e thirrjes për 200 pozicione drejtuese në shkollat e mesme dhe 9-vjeçare në të gjithë vendin.
“Duke filluar nga fundi i kësaj jave, do të hapim 200 pozicione të punës për drejtues të shkollave, me një konkurs të hapur, ku ftohen që të aplikojnë edhe drejtuesit e komanduar aktualë, edhe ata aspirantë, për të patur më të mirët në krye të shkollave tona”, – bëri me dije Ministrja Manastirliu.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit ka deklaruar se pas çertifikimit të drejtorëve të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, do të vijohet edhe me trajnimin e drejtuesve në arsimin parashkollor.
“Sfida e radhës është çertifikimi i drejtuesve në instutucionet parashkollore dhe kjo është edhe pjesë e reformës sonë sa i përket ndryshimeve që ne do të ndërmarrim në shërbimet parashkollore, të cilat kanë nevojë të përshtaten me të rejat e kohës, të modernizohem nga pikëpamja e standarteve dhe të cilësisë që ofrohet në arsimin parashkollor”, – tha Manastirliu.
Duke vënë theksin tek rëndësia e rritjes së dinjitetit të figurës së mësuesit, Manastirliu tha se, përveç trajnimeve për edukimit në vazhdim, me buxhetin e vitit 2024 do të ketë një rritje historike të pagave për të gjithë mësuesit.
Nga fillimi i programit të trajnimit nga Shkolla e Drejtorëve, prej nëntorit të vitit 2019, janë çertifikuar 857 mësues. MAS në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, ka mundësuar një standard të ri për trajnime dhe çertifikime për mësuesit dhe edukimin e tyre në vazhdim.