Manastirliu: Kredi me interes zero për blerje banese për 90 mësues, afati për aplikim deri më 9 prill

Për të dytin vit radhazi mësuesit do të mbështeten me kredi me 0% interes për të blerjen e një banese.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu në një postim në rrjetet sociale tha se “për këtë vit janë vënë në dispozicion të mësuesve 90 kuota për trajtim me kredi të lehtësuar për blerjen e një banese”.
Manastirliu vuri në dukje se të gjithë të interesuarit duhet të aplikojnë nëpërmjet portalit e-Albania, nga data 11 mars 2025 deri më datë 9 prill 2025.
Përfituesit përzgjidhen nga Komisioni i Vlerësimit, i ngritur pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në bazë të sistemit të pikëzimit, të përcaktuar në vendimin e Këshillit të Ministrave “Për trajtimin me kredi të lehtësuar të të punësuarve në administratën publike për blerjen e banesës”, brenda 10 ditë pune nga afati i mbylljes së aplikimeve.