Manastirliu: Nis programi i trajnimit për drejtuesit e arsimit parashkollor
Ministrja e Arsimit dhe Sportit Orgerta Manastirliu ka bërë të ditur se ka nisur programi i parë i trajnimit për drejtuesit e arsimit parashkollor. Sipas Manastirliut, ky është gur themeli në zhvillimin standardeve në çerdhe dhe kopshte. Në këtë trajnim janë përfshirë 60 pjesëmarrës nga e gjithë Shqipëria.
Në këtë grup të parë, 45 janë drejtorë të kopshteve dhe 15 janë aspirantë për drejtues.
Manastirliu shpjegoi se ky program i Shkollës së Drejtorëve, mbështetur nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe financuar nga AADF i cili do të zhvillohet në Tiranë, është ndërtuar mbi praktikat më të mira ndërkombëtare dhe standardet profesionale për drejtuesit e institucioneve të arsimit parashkollor. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu në ceremoninë e prezantimit të programit të trajnimit të detyrueshëm për arsimin parashkollor, e cilësoi atë një gur themeli në zhvillimin dhe mirërritjen e fëmijëve që në fëmijërinë e hershme.
“Vendosim një gur të ri themeli në zhvillimin e standardeve dhe rritjes së kapaciteteve të ekipeve tona drejtuese në realizimin e këtij programi të trajnimit të detyrueshëm për drejtuesit në arsimin parashkollor. Është një moment i shumëpritur i cili vjen pas një pune të madhe të realizuar nga Shkolla e Drejtorëve, e mbështetur nga Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), Ministria e Arsimit dhe Sportit, Bashkia e Tiranës dhe të gjitha bashkitë për këtë fokus që ne i kemi dhënë përgjatë gjithë këtyre viteve zhvillimit të fëmijëve që lidhet me zhvillimin në fëmijërinë e hershme”, tha ministrja Manstirliu.
Që prej themelimit, Shkolla e Drejtorëve ka certifikuar 1,199 drejtues shkollash në të gjithë vendin, duke përmirësuar cilësinë e menaxhimit dhe fuqizuar lidhjet me komunitetin. Tashmë ky program shtrihet për herë të parë edhe në arsimin parashkollor. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu tha se trajnimi në vazhdim i mësuesve dhe drejtorëve të 539 kopshte në të gjithë vendin do të zhvillojë aftësitë menaxheriale dhe të lidershipit në arsimin parashkollor.
“Kur bëhet fjalë për zhvillimin e lidershipit, menaxherëve të strukturave të arsimit tonë shkollor, nuk bëhet fjalë vetëm për trajnimin e 539 drejtuesve të çerdheve dhe kopshteve, por bëhet fjalë për një zhvillim të kapaciteteve të të gjitha burimeve njerëzore, të edukatorëve në strukturat tona të arsimit parashkollor, të kujdestarëve në këto struktura, të zhvillimit të ekipeve të punonjësve socialë, psikologëve dhe të gjithë figurave të reja që ne kemi përfshirë. Bashkitë kanë përfshirë këto figura në shërbimin për mirërritjen dhe zhvillimin e fëmijëve të grupmoshave 3-6 vjeç.
Prioritet mbi prioritete është zhvillimi dhe mirërritja e fëmijëve dhe fillon që në fëmijërinë e hershme”, tha Manstirliu.