Manastirliu: Rishikim i rregullave të portalit, rritje pagash për mësuesit
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ka premtuar rishikimin e rregullave të portalit, “Mësues për Shqipërinë” me synim përmirësimin e tyre.
Zonja Manastirliu e cila ka ndërmarrë një tur dëgjesash publike me mësues, prindër dhe nxënës, gjatë takimit në shkollën “Murat Toptani”, mësuesit e arsimit special u njoh me pretendimin për rishikimin e rregullave të portalit.
“Portali “Mësues për Shqipërinë”, një instrument që ka siguruar transparencë dhe meritokraci patjetër që është konsoliduar, por duhet ridimensionuar. Duhet ridimensionuar për ta sjellë më afër kontekstit aktual, duke e parë se si mund të organizohen më mirë testimet e portalit “Mësues për Shqipërinë”, në nivele rajonale, se si mund të bëhen më shpejt procedurat për sa i përket gjithë atyre kategorive të mësuesve dhe që përfshihen në portal, si mund t’i jepet më shumë mbështetje mësuesve të cilët kanë eksperiencë më të madhe, mjeshtrave, dhe se si mundet të mbështeten ata që sapo futen në sistem”, tha ministrja Manastirliu.
Ministrja konfirmoi mbështetjen e qeverisë për rritjen e pagave për mësuesit edhe në vitin 2024.