Manastirliu: Status i veçantë për shkollat artistike dhe sportive, sistem i ri i zhvillimit të karrierës për mësuesit
Nga viti i ardhshëm shkollor, Ministria e Arsimit dhe Sportit synon t’u japë status të veçantë shkollave me drejtim artistik dhe sportiv, duke u angazhuar për një trajtim më të veçantë dhe një mbështetje më të fortë për këto drejtime të rëndësishme në arsimin tonë.
Këtë deklaroi Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu nga shkolla 9-vjeçare “Dëshmorët e Lirisë”.
“Ne jemi të angazhuar që të vijojmë mbështetjen për shkollat me drejtim artistik edhe ato me drejtim sportiv dhe jam e bindur që të gjithë mësuesit edhe ata të lëndëve artistike do të na përkrahni edhe në një tjetër iniciativë që ne kemi ndërmarrë me përmirësimin e ligjit për arsimin parauniversitar, ku, nga viti i ardhshëm shkollor, të ofrojmë statuse të veçanta për shkollat tona artistike dhe sportive”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu në bashkëbisedimin me stafin pedagogjik të shkollës “Dëshmorët e Lirisë”.
Ministrja u ndal dhe te trajnimi i mësuesve në kuadër të Programit Kombëtar të Zhvillimit Profesional të Mësueve, ku janë përfshirë edhe mësuesit e kësaj shkolle.
“Programi Kombëtar i Zhvillimit Profesional të mësuesveështë një program i cili është në fazën e parë, atë të hartimit të moduleve të trajnimit dhe aspekteve që lidhet me përfshirjen e universiteteve tona në trajnimin e madh që do të jetë për këtë vit. Rreth 4000 mësues do të përfshihen në këtë trajnim të zhvillimit profesional, por edhe aspekteve që lidhen me përgatitjen e mësuesve për testimet ndërkombëtare, sikurse është testimi i Pisës apo dhe sondazhi Talis.
Trajnimi është një komponent pasi ne kemi nevojë për një ridimensionim të gjithë sistemit që lidhet me shkallët e kualifikimit të mësuesve, sistemin e karrierës dhe për këtë arsye jemi duke bërë edhe një rivlerësim e metodologjisë që lidhen me shkallët e karrierës edhe kualifikimeve që të lidhen edhe me rritjen apo mbështetjen financiare të mësuesve”, tha Manastirliu.
Ministrja Manastirliu vizitoi edhe Laboratorët SMART që janë ngritur në këtë shkollë përmes Programit Elementët IT në shkolla.
Shkolla 9-vjeçare “Dëshmorët e Lirisë” është një ndër shkollat e para të arsimit parauniversitar që po përfiton nga kjo iniciativë, ku tashmë nxënësit e klasave të para dhe të dyta mësojnë programin e kodimit.
Ministria e Arsimit dhe Sportit do të vijojë me investimet me ngritjen e 216 laboratorëve Smart dhe më tej, shtrirjen e këtij projekti në 650 shkolla të tjera gjatë vitit 2024-2025, gjë që do të bëjë të mundur që edukimi digjital të bëhet pjesë e kurrikulës dhe e mësimit të përditshëm të fëmijëve që në moshë të vogël, por nga ana tjetër edhe të zhvillojë mendimin kritik tek ata.