Manastirliu: Synojmë bashkëpunim të ngushtë me universitetet, programet duhen përshtatur me tregun e punës
Në nisje të vitit të ri akademik 2023-2024, Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu në një deklaratë për media ka deklaruar se fokus i institucionit që ajo drejton është bashkëpunimi më i ngushë me universitetet e vendit.
Ajo u shpreh se dita e sotme shënon një kapitull të ri në jetën e 121 mijë studentëve, ndërsa theksoi se dhënia e bursave sa paga minimale, për studentët ekselentë, do të vijojë edhe për këtë vit.
“Sot nis një kapitull i ri në jetën e mbi 121 mijë studentëve. Duhet të mendojmë si të ndërtojmë një strategji të përbashkët që të jetë orientuese për programet e reja. Ne synojmë të bashkëpunojmë ngushtë me universitetet e vendit. Programet duhet të përshtaten me tregun e punës. Nuk është qëllim në vetvete mbyllja e një programi, por riadaptimi i programeve që kemi, që të jenë afër pritshmërive të studentëve, dhe afër tregut të punës.
157 studentë ekselentë janë mbështetur duke u dhënë bursa sa paga minimale, dhe kjo gjë do vijojë dhe sivjet.
Duke nisur nga viti tjetër, do jetë vit konsolidimi dhe transformi të instrumentit të mbështetjes së programit që u sjell përfitim studentit, universitetit dhe ekonomisë së vendit”, tha Manastirliu ndërsa një vëmendje i dha edhe kërkimit shkencor, duke u shprehur se “Duhet të përmirësojmë kërkimin shkencor dhe brenda vitit 2024 do të bëjmë model të ri me kritere të reja, duke adaptuar modelet më të mira kombëtare”.
Ndërsa rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha pyetur nga gazetarët në lidhje me renditjen në fund të listës së Universitetit të Tiranës në “Times Higher Education World University Rankings”, u shpreh se kjo gjë nuk është e vërtetë dhe se Universiteti i Tiranës e nderon Shqipërinë.