Lajme

Manastirliu: TikTok do të bllokohet. Plan i Ri Veprimi për fuqizimin e mekanizmave të sigurisë në shkollë

Platforma TikTok do të bllokohet. Vendimin e bën me dije Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu ndërsa prezantoi këtë të shtunë (21 dhjetor) Planin e Ri të Veprimit, një nismë e rëndësishme e Ministrisë së Arsimit, për të adresuar dhe përmirësuar sigurinë në shkolla.

Në një kohë kur sfidat teknologjike janë të pashmangshme, siguria fizike dhe digjitale është prioritet. Për rritjen e kësaj sigurie kemi vendosur bllokimin e platformës TikTok, bazuar në një paketë instrumentash që po punohet nga AKCESK dhe AKSHI. Po ashtu, do të vendosim kamera inteligjente përmes projektit ‘Smart City’, duke siguruar një monitorim më efektiv brenda shkollave dhe perimetrit të tyre. Në dy vitet e ardhshme do të dyfishojmë numrin e oficerëve të sigurisë, duke arritur në 500, dhe do të ngremë një strukturë të dedikuar brenda drejtorive arsimore për të koordinuar detyrat e oficerëve të sigurisë dhe bashkëpunimin me njësitë lokale të mbrojtjes së fëmijëve“, tha ministrja.

Në një takim me mësues e prindër, Ministrja Manastirliu tha se Plani i Veprimit ka katër drejtime kryesore dhe për hartimin e tij është bërë një konsultim i gjerë publik.

“Plani i Ri i Veprimit që prezantojmë sot është një iniciativë ambicioze që reflekton përgjegjësinë tonë të përbashkët si shtet, si institucione, si prindër dhe si qytetarë. Në të kemi përfshirë gjetjet dhe rekomandimet nga konsultimet e kryera, rekomandimet e Këshillit Kombëtar të Prindërve, dhe ekspertiza e shoqërisë civile dhe ndërkombëtare, ka qenë një pjesë kyçe e hartimit të tij. Përmes tij synojmë adresimin e çështjeve që lidhen me dhunën, bullizmin, sigurinë online dhe rritjen e mekanizmave të parandalimit, në funksion të sigurisë në shkolla dhe reduktimin, deri në eliminim, të fenomeneve të çdo forme dhune brenda shkollës. Ky plan është ndërtuar mbi katër shtylla kryesore: siguria fizike dhe digjitale, rrjetet e mbështetjes psikosociale, edukimi dhe ndërgjegjësimi dhe koncepti i shkollës së hapur.”, shtoi ajo.

Duke folur për rëndësinë e mbështetjes psikosociale, ministrja njoftoi shtimin e 350 punonjësve psikosocialë në shkollë.

“Jemi të ndërgjegjshëm se tek nxënësit po rritet nevoja për mbështetje multidisiplinare, sidomos për sa i përket mbështetjes psiko-emocionale dhe adresimit të shqetësimeve të moshës. Për këtë arsye, kemi planifikuar shtimin e 350 punonjësve psikosocialë, duke arritur në 1,200 brenda dy viteve të ardhshme. Bashkë me partnerët tanë të shoqërisë civile dhe institucioneve akademike, do të ngremë një Rrjet Kombëtar për Sigurinë Online, që do të ndihmojë në mbrojtjen digjitale të nxënësve”, tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu nënvizoi rolin e edukimit dhe ndërgjegjësimit.

Nuk mund të ketë siguri pa edukim. Miratimi i Kodit të Ri të Etikës për mësuesit, fuqizimi i Këshillave të Prindërve dhe organizimi i Kuvendeve Rajonale periodike janë hapa thelbësorë për të ndërtuar një front të përbashkët në edukimin e fëmijëve. Gjithashtu, përmirësimi i kurrikulave dhe teksteve të Edukimit Qytetar, Digjital dhe Ligjor do të ndihmojë në formimin e një brezi më të ndërgjegjësuar dhe më të përgjegjshëm.”, tha Manastirliu.

Në përmbyllje, ministrja foli për konceptin e Shkollës së Hapur si një nga katër drejtimet e Planit të Ri të Veprimit.

Një shkollë e hapur është një shkollë që shërben komunitetin. Do të zgjerojmë programet ‘Shkolla Qendër Komunitare’ dhe ‘Ekipet Sportive në Shkolla’, duke përfshirë mbi 20,000 nxënës në aktivitete jashtëshkollore sportive. Nga viti 2025 do të pilotojmë shkollat verore në Tiranë, për të siguruar që fëmijët të kenë hapësira të sigurta edhe jashtë orarit mësimor.”, shtoi ministrja.

Manastirliu përfundoi duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me prindërit: “Ky plan nuk mund të jetë i suksesshëm pa ju, të dashur prindër. Ju jeni partnerët më të ngushtë të mësuesit dhe kontributi juaj është i pazëvendësueshëm për të ndërtuar shkolla të sigurta dhe një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë.”, deklaroi Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.

Plani i ri i Veprimit vjen si një reagim nisur nga ngjarjet e fundit në shkollat e vendit.

RTSH Shkodra

Recent Posts

“Shkodra Elektronike” intervistë në mediat italiane, Beatriçe Gjergji rrëfen për jehonën e këngës

Kënga fituese e edicionit të 63 të Festivalit të këngës në Radio Televizionin Shqiptar ka…

15 hours ago

Miss Shqipëria 2025 – Hapen zyrtarisht audicionet për vajzat të cilat do jenë pjesëmarrëse në këtë event

Miss Shqipëria”, eventi më i madh i bukurisë shqiptare, çeli siparin e edicionit të 27…

16 hours ago

Haland dhe fiksimi për makinat, ka blerë veturën e sigurisë së F1 për 350.000 mijë stërlina

Vetëm pak javë pasi hodhi firmën në kontratën e re me Mançester Sitin, sipas së…

16 hours ago

Platini për “SonntagsZeitung”: Blater edhe Infantino s’dinë të godasin topin, italo-zviceriani do më shumë pushtetin dhe paratë se futbollin!

Në intervistën që dha për “SonntagsZeitung”, Mishel Platini tregoi disa prej problematikave të mëdha që…

16 hours ago

Vllaznia- Elbasani, tashmë për kupë / Në “Loro Boriçi” rikthehen skuadrat që barazuan 1- 1 për Superligën

Pas barazimit 1-1 për Supërligën, Vllaznia dhe Elbasani do të masin forcat sërish në “Loro…

16 hours ago

Fshati i vogël me prodhimtari të lartë – Fermerët e Goricës : Infrastruktura rrugore jo në favor për shitjen e prodhimeve

Fshati i vogël i Goricës në njësinë administrative të Anës së Malit, në Bashkinë e…

16 hours ago

This website uses cookies.