Mançester Siti, kampion i botës për klube
Mançester Siti ka shmangur çdo të papritur të pakëndshme dhe është shpallur kampion i botës për klube, për herë të parë në histori. Në finalen e Botërorit të Klubeve, që u luajt të premten, Siti mposhti bindshëm 4-0, skuadrën braziliane të Fluminenses, që kishte fituar Kupën “Libertadores në Amerikën Latine. Evropianët erdhën në finale pasi mundën në gjysmëfinale japonezët e Urava Red Diamonds, ndërsa amerikanojugorët patën mposhtur egjiptianët e El-Ahlit.
Hulian Alvarez që në minutën e parë dhe në të 88-ën, autogoli i Ninos në të 27-ën dhe Fil Fodeni në të 72-ën vulosën në fitoren e skuadrës angleze. Kësisoj, Sitit i shtohet në kabinet edhe një trofe që i mungonte, pasi skuadra e trajnerit Pep Guardiola ka regjistruar një tjetër sukses historik, duke triumfuar edhe në Botëror për Klube.
Ndeshja u zhvillua në Arabinë Saudite, në stadiumin “King Abdullah Sports Siti” dhe Mançester Siti e mbyll kështu në mënyrën më të mirë të mundshme vitin kalendarik. Pasi fitoi më herët edhe 3 trofetë, titullin “kampion”, Kupën e Anglisë (FA Cup) dhe trofeun e parë të Ligës së Kampionëve, klubi anglez tani ka në kabinën e trofeve edhe atë të Botërorit të Klubeve.