Ministria e Jashtme zhvilloi të martën një takim përmbyllës me rastin e mbarimit të mandatit 2-vjeçar të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit në OKB.
Aktivitetit iu drejtua kryediplomati Igli Hasani, ambasadori shqiptar në Kombet e Bashkuara, Ferit Hoxha, emisari i SHBA-së në Shqipëri, David Uisner (o. Wisner), dhe një përshëndetje virtuale erdhi nga ambasadorja amerikane në OKB, Linda Tomas-Grinfild (o. Thomas Greenfield).
“Ka një të vërtetë themelore në marrëdhëniet ndërkombëtare: vendet e vogla si Shqipëria janë të destinuara të jenë dëshmitare e ngjarjeve të mëdha historike. Ama ka një fushë ku vendet e vogla mund të konkurrojnë edhe me fuqitë më të mëdha të botës si të barabarta: kjo është fusha e ideve dhe parimeve. Ne patëm mundësinë të punojmë për avancimin e kauzës për të drejtat e grave në jetën politike e publike. Patëm mundësinë të kontribuojmë dhe të japim mësimet e nxjerra nga vendet e ndryshme për paqen dhe harmoninë fetare në botë. Punuam po ashtu për t’u dhënë zë zhvillimeve të ndryshme klimatike,” u shpreh ministri Hasani.
Fillimi i mandatit të Shqipërisë në KS përkoi edhe me nisjen e agresionit rus në Ukrainë, betejë që e shoqëroi deri në fundin e shërbimit diplomatik.
“Agresioni rus në Ukrainë ishte një çështje që shenjoi gjithçka. Bota u përball me një agresion të panjohur që nga Lufta II Botërore. Dhe për një popull si shqiptarët që kujtimet e luftës e masakrave të viteve 1990 i kishim ende të freskëta, ky sulm preku e zgjoi emocione e kujtime të dhimbshme. U bë kryefjalë e punës sonë, sepse agresioni erdhi në kundërshtim të çdo ligji ndërkombëtar, edhe kundër atyre rregullave mbi të cilat u themelua Organizata e Kombeve të Bashkuara,” shtoi ministri i Jashtëm.
Edhe për ambasadorin Ferit Hoxha, kryesimi i Këshillit të Sigurimit ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme. Z. Hoxha e kryeson prej gati 15 vitesh skuadrën e diplomatëve që përfaqësojnë Shqipërinë në OKB.
“Është moment i rëndësishëm për mua dhe ekipin tim, dhe një moment i veçantë në historinë e diplomacisë shqiptare. Ka qenë një moment kulmor edhe në karrierën time, një moment krenarie që na u dha mundësia të shërbejmë e ta çojmë në OKB perspektivën e vendit tonë dhe për të dhënë maksimumin për çështje që kalonin spektrin e atyre për të cilat ishim mësuar historikisht. Shqipëria është përfshirë në çdo çështje që ka pasur të bëjë me sigurinë në glob. Politika jonë e jashtme është e parashikueshme dhe parashikueshmëria na ka bërë të jemi të besueshëm në OKB. Të gjitha kombet e vogla luftojnë për të përmirësuar imazhin e tyre. Vitet e fundit ne kemi ndikuar për ta ndryshuar opinion rreth vendit,” deklaroi z. Hoxha.
Ambasadorja Tomas-Grinfild (o. Thomas Greenfield), e vizitoi Shqipërinë gjatë vitit të parë të mandatit të saj: “Nuk e imagjinoj se si do të ishte kjo kohë pa Shqipërinë dhe fatmirësisht nuk kam pse. Ekipi shqiptar na e lehtësoi punën. Ishin dy vite miqësi e ngushtë.“
Ndërsa i ngarkuari i SHBA-së në Shqipëri, z. Uisner, vlerësoi “maturinë dhe kapacitetet e diplomacisë shqiptare”.
Analiza e ndeshjes, Vllaznia-Teuta dhe Abissnet Superiore, java e 14-teështë analizuar mjenjëherë pas ndeshjes në…
Vllaznia arrin të marrë një fitore të vyer në frymen e fundit ndaj Teutës mbrërmjen…
Familjarë, miq, kolegë dhe qytetarë të shumtë kujtuan mjeshtrin e humorit Zef Deda. Aty ku…
Kjo e dielë e ka gjetur pikën e kalimit kufitar të Muriqanit me pak lëvizje…
Vitet e fundit po shtohen rastet e alergjive tek moshat e treta në Shkodër. Specialistët…
Puna për rehabilitimin e Zdrales po vijon në qyetin e Shkodrës.Aktualisht po punohet për shtrimin…
This website uses cookies.