Mandati i Xhaçkës, Bardhi: Të ndërpritet seanca, s’kemi raportin e maxhorancës. Çuçi: Qëndrimi ynë i qartë
Deputeti demokrat, Gazment Bardhi ka kërkuar ndërprerjen e seancës së sotme parlamentare, duke pretenduar se opozitës nuk i është vënë në dispozicion raporti i maxhorancës në Këshillin e Rregullores dhe Mandateve lidhur me mandatin e Olta Xhaçkës.
Bardhi akuzoi për shkelje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, teksa theksoi se deputetët e opozitës nuk mund të votojnë pa ditur qëndrimin e deputetëve socialistë dhe se për çfarë duhet të votojnë.
“Ne kemi në rend dite vendimin e Kuvendit për të zbatuar një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Një praktikë jo normale parlamentare, jashtë asaj që u vendos në Komisionin e Rregulloreve dhe Mandateve. Ne deputetët e opozitës nuk kemi akoma raportin e maxhorancës në Këshillin e Rregullores dhe Mandatit.
Ndryshe nga praktika disavjeçare ku Këshilli merr një vendim, ju nuk guxuat të merrnit një vendim, latë një afat deri të mërkurën dhe ne sot nuk e dimë qëndrimin tuaj dhe çfarë do votojnë deputetë e maxhroancës dhe opozitës. Duhet të ndërprisni seancën dhe ne të njihemi me qëndrimin tuaj. Zbatoni rregulloren dhe na vini në dispozicion raportin e shumicës. Caktuat si afat të mërkurën, afatin e kaluat dhe në sistem është vetëm raporti ynë. Nëse nuk e keni gati ndërprisni seancën. Nuk mund të nisë seanca pa patur ne raportin për një çështje të kësaj rëndësie”, tha Bardhi.
Pretendimet e Bardhit u hodhën poshtë nga kryeparlamentarja Lindita Nikoll dhe kreu i Grupit parlamentar socialist, Bledi Çuçi, që deklaruan se raporti i maxhoranës ishte në sistem. Çuçi sqaroi se, sipas tij, shumica socialiste kishte dalë me një vendim nga Këshilli i Mandateve në lidhje me këtë çështje, për ta çuar vendimmarrjen në Kuvend.
Sipas Çuçit, sot në Kuvend deputetët do të votojnë një projektvendim për të çuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese.
“Raportin e kemi përfunduar dhe nuk dyshoj që është në sistem. Ne e kemi zbatuar vendimin e GJK që në momentin e parë ku kemi thënë që shfuqizon të dy vendimet që janë marrë nga parlamentin në lidhej me papajtueshmërinë e deputetes Olta Xhaçka. Nuk është e vërtetë që nuk dolëm në një konkluzion në mbledhjen e Byrosë, dolëm qartë që do ta çojmë çështjen, vendimmarrjen në Kuvend sepse kështu na detyron Kushtetua. Sot do të votojmë një projektvendim për të çuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese sipas procedurës së rrjedhur nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Edhe me raportin tashmë që e panë që është në sistem do të njihen”, theksoi Çuçi.