Mandati i Xhaçkës në Kushtetuese, Këshilli i Mandateve e dërgon në seancë plenare
Nëse çështja e shqyrtimit të mandatit të deputetes socialiste, Olta Xhaçka do të shqyrtohet ose jo në Gjykatën Kushtetuese, do të vendoset nga Kuvendi në seancën plenare të së enjtes.
Ky ishte vendimi i marrë nga Këshilli i Mandateve, pa konsensusin e opozitës, e cila kërkoi që në seancë t’i hapet rrugë kërkesë së saj, pa debat, që Gjykata Kushtetuese të bëjë interpretimin e mandatit të Xhaçkës.
Krahas argumentit ligjor, për të drejtën që kanë deputetët për t’ju drejtuar Gjykatë Kushtetuese, ligjvënësit debatuan edhe politikisht pasi opozitarët akuzuan mazhorancën se është në përpjekje për t’i mbrojtur mandatin deputetes Xhaçka, me zvarritjen që i bëri shqyrtimit të cështjes, edhe pse mandati i saj u kërkua nga opozita, më shumë se një vit më parë.
Çështja e mandatit të Xhaçkës u shtrua si objekt diskutimi, me kërkesë të deputetëve opozitarë pasi bashkëshorti i saj, Artan Gaci u shpall investitor strategjik nga qeveria.