Manja: Kodi i ri Penal do i rezistojë kohës. Opozita, konstruktive për Amnistinë Penale
Ministria e Drejtësisë po punon për ndryshimin e Kodit Penal të Shqipërisë, për ta bërë të përafërt në përmbajtje me legjislacionin e Bashkimit Europian.
Kreu i dikasterit, Ulsi Manja, deklaroi të premten për gazetarët se procesi i draftimit ka përfunduar dhe grupi i punës po përgatitet ta hedhë për konsultim publik.
“Ka një draft, një dokument pune, që i është dorëzuar Ministrisë së Drejtësisë nga grupi i punës i ngritur për draftimin e Kodit Penal. Ky draft është në duart tona, por ende nuk është hedhur për konsultim publik. në momentin që do të hidhet, atë do ta kenë në duar profesionistët e ligjit, shoqëria civile, mediet dhe pse jo, për të pasur një Kod Penal bashkëkohor i përqasur me legjislacionin e BE-së, që do i rezistojë kohës,” u shpreh z. Manja.
Komisioni i Sigurisë miratoi këtë javë ndryshimet e parashikuara edhe në Amnistinë Penale, një projektligj i cili duhet të marrë konsensusin e 84 deputetëve për t’u realizuar.
Ministri Manja tha se fryma e punës deri tani ka qenë pozitive edhe nga kolegët e opozitës.
“Drafti i amnistisë ka kaluar leximin e parë në Komisionin e Sigurisë, por komisioni përgjegjës është ai i Ligjeve. Ne do ta përmbyllim javës që vjen dhe pastaj për seancën plenare duhet siguruar konsensusi i nevojshëm prej 84 vota, në mënyrë që Amnistia të kalojë dhe të zbatohet menjëherë. Janë depozituar disa amendamente edhe nga opozita. Ne i kemi marrë dhe do i konsultojmë edhe me Komisionin e Ligjeve, edhe me mazhorancën dhe javës tjetër do i kalojmë në Komision e më pas në seancë. Kemi qasje pozitive,” tha z. Manja.
Problem për drejtësinë shqiptare paraqitet ekstradimi i eksponentëve të krimit të arrestuar jashtë territorit të Shqipërisë. Disa prej tyre e kanë ankimuar kërkesën e organeve shqiptare.
Ministri Manja tha se ka një ngërç procedurial, që nuk mund të zgjidhet vetëm me dëshirën e palës shqiptare.
“Jo çdo arrestim i këtyre personave me qëllim ekstradimi finalizohet pozitivisht, sepse ka procedura të caktuara dhe zbatim me korrektësi i tyre. Ne jemi palë në Konventën e Ekstradimeve. Me një pjesë shtetesh kemi edhe marrëveshje ekstradimi. Unë i përshëndes në të gjitha rastet arrestimet e personave nga homologët tanë me qëllime ekstradime në nivele policore, por esktradimi është tërësisht punë e mirëfilltë e Ministrisë së Drejtësisë, e Prokurorisë së Përgjithshme dhe SPAK-ut. Sigurisht do kohën e vet, sepse personat që arrestohen me qëllim ekstradimi i ankimojnë kërkesat e tyre në drejtësitë e vendeve përkatëse. Kështu që mos u çudisni që ka një kategori personash të arrestuar me qëllim ekstradimi që ende nuk kanë mbërritur në Shqipëri, sepse ka një procedurë ligjore,” u shpreh ministri Manja.