Maqedonia e Veriut drejt zgjedhjeve të parakohshme, BDI propozon shqiptarin Talat Xhaferi për kryeministër
Maqedonia e Veriut po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Kryesia e Bashkimit Demokratik për Integrim në mbledhjen e së premtes ka vendosur që për kryeministër teknik ta propozojë kryeparlamentarin aktual Talat Xhaferi.
“BDI propozin Talat Xhaferin si kryeministër i Qeverisë e cila do të jetë në fuqi nga fundi i janarit e deri në zgjedhjen e Qeverisë së re”, deklaroi Bujar Osmani, Zëdhënës i BDI-së.
Lidhur me koalicionet parazgjedhore të mundshme, sipas Osmanit organet e partisë kanë autorizuar Ahmetin që të vazhdojë negociatat dhe t’i propozojë partisë përcaktimin me të cilin do të shkohet në zgjedhje, raporton Alsat.
“Ne i analizuam të gjitha opsione dhe variantet e mundshme për pjesëmarrje, si parti e vetme dhe si pjesë e frontit Evropian dhe u autorizua kryetari Ali Ahmeti t’i vazhdon bisedimet dhe t’i propozon partisë një vendim i cili do të aprovohet në organet e partisë”, shtoi Bujar Osmani, Zëdhënës i BDI-së.
Në kuadër të kryesisë qendrore të BDI-së është diskutuar edhe për zgjedhjet e brendshme partiake që duhet të pasojnë. Pikë diskutimi në këtë kuadër kanë qenë edhe zgjedhjet presidenciale.