Maqedonia e Veriut me kryeministër shqiptar, gazetari nga Tetova: U thye një rregull i pashkruar
Një ditë historike është kjo e diel (28 janar) për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, pasi për herë të parë qeveria do ketë një kryeministër shqiptar, ku Talat Xhaferit është mandatuar si kryeministër për krijimin e qeverisë teknike.
Në një lidhje direkte nga Tetova, gazetari Seladin Xhezairi tha për RTSH se është thyer një rregull i pashkruar që postet kryesore në Maqedoninë e Veriut ishin të rezervuara për maqedonasit.
Ai theksoi se promotori i thyerjes së këtij rregulli ka qenë fillimisht Ali Ahmeti i BDI-së.
“Deri para 6 apo 7 vitesh, ka qenë një si rregull i pashkruar që postet kryesore të vendit këtu janë të rezervuara për m maqedonasit, ndërsa këtë tabu e theu pikërisht zoti Ahmeti me vullnetin dhe durimin e tij për t’i vënë punët në vijë. Shqiptarët, që nga luftërat ballkanike kanë qenë këtu dhe nuk kanë pasur ndonjë konflikt historik me maqedonasit. Zoti Ahmeti dhe partia e tij është partia e vetme me hapësirat shqiptare që nuk ka pësuar humbje. Gjatë kësaj kohe, hiq çështjen e Kosovës për të cilën është angazhuar zëshëm BDI motoja e zotit Ahmetaj ka qenë integrimi sa më parë në strukturat euro-atlantike”, u shpreh ai.