Maratona e Nju Jorkut i buzëqesh Europës, e fiton holandezi Nageeye
Maratona e Nju Jorkut ka përfunduar me surpriza. Për meshkuj pritej me shumë interes gara e kampionit olimpik, Tamirat Tola, i cili zhgënjeu. Ndërsa për femra atletia nga Kenia Hellen Obiri, e cila fitoi këtë garë vitin e kaluar, nuk arriti të bënte bis.
Gara e Nageeye ishte fluide deri në metrat e fundit të garës. Me ritmin e vendosur e bëri të pamundur për Evans Chebet (i dyti me kohën 2 orë 07 minuta dhe 45 sekonda) dhe Albert Korir ( i treti me kohën 2 orë 08 minuta) që ta kërcënonin në finish.
Në kilometrat e fundit në Central Park humbi shpejtësi edhe etiopi Tamirat Tola, fituesi i edicionit të kaluar të kësaj gare me kohën rekord 2 orë 04 minuta dhe 58 sekonda.
Kjo ishte fitorja e parë për një atlet nga Europa që prej 1996 së largët kur triumfoi Giacomo Leone (2h09:54). Hera e fundit kur kjo garë nuk është fituar nga një atlet afrikan ishte në 2009 kur triumfoi Meb Keflezighi.
Sa i përket femrave gara ishte mjaft e luftuar pasi gjithçka u vendos 300 metra nga fundi. Hellen Obiri, dy herë fituese e Maratonës së Bostonit (2023 e 2024), medalje e bronztë në Paris 2024, humbi në fund garën me Sheila Chepkirui, e cila triumfoi me kohën 2 orë 24 minuta dhe 35 sekonda.