Maratona e notit “AGRON RUVINA” 2024/Spikasin notarët shkodranë, Viki Tafrruku dhe Jozef Shiroka
Federata Shqiptare e Notit në bashkëpunim me Bashkinë Pogradec dhe Qendren Multifunksionale Pogradec, organizuan në qytetin e Pogradecit, aktivitetin tradicional Maratona e Notit “Agron Ruvina” 2024, kushtuar kësaj figure sportive që ka dhënë një kontribut të madh në sportin e notit. Garat e zhvilluara në Liqenin e Ohrit patën si konkurues 65 notarë përfaqësues të ekipeve më të mira të Shqipërisë, mes të cilëve edhe ato të Shoqatës “Shkodra Not” me drejtues trajnerin e njohur Kolë Shiroka, ku në garë janë paraqitur notarët e Vllaznisë, Viki Tafrruku dhe Jozef Shiroka. Ndër to, figurën më të mirë sportive e bëri Viki Tafrruku, e cila arriti të rrëmbente vendin e parë në konkurimin e kategorisë së fëmijeve deri në 14 vjeç për femra duke lënë pas në vendin e dytë dhe të tretë Luna Diamati e ekipit “Stela” dhe Ajlind Tallelli të Elbasanit. Një figurë shumë të mirë sportive në këtë aktivitet bëri edhe notari Jozef Shiroka, i cili u rendit në vendin e tretë për kategorinë të rinj dhe të rritur. Fitues i vendit të parë dhe të dytë në këtë kategori ishin Daniel Danja dhe Johan Askurti, përfaqësues të ekipeve Stela dhe të Elbasanit. Në konkurimin e kategorisë fëmijë deri në 14 vjec meshkuj fitues i vendit të parë ishte Jakobo Xhindoli Elbasan, i ndjekur nga Flavio Kasemi dhe Rajan Brataj, që të dy të ekipit Flamurtari. Ndërkohë, për kategorinë të rinj të rritur femra, fituese e vendit të parë është Emi Karriqi e ekipit Stela. Me interes është ndjekur edhe gara e veteranëve, ku fitues i vendit të parë për femra ishte Enkeleda Tupa e Pogradecit dhe për meshkuj, Andi Kongoli i Elbasanit.