Maratona e Pavarësisë / Eventi sportiv që kremton ditën më të shënuar të shqiptarëve në edicionin e tij të 11- të
“Maratona e Pavarësisë” ka mbërritur në edicionin e 11- të saj. Një mënyrë krejt origjinale që Shkodra dhe Ulqini kanë zgjedhur të kremtojnë së bashku ditën më të rëndësishme për shqiptarët kudo ku ata jetojnë. Moti i keq dhe shi, nuk ka dekurajuar 35 pjesëmarrës të nisen nga Ulqini, të përcjellë edhe nga kryetari i komunës Omer Bajraktari.
Nga viti në vit, maratona tërheq një interes në rritje, duke ngjallur interesin jo vetëm të shqiptarëve në rajon e përtej, por edhe të huajve. Sotir Qiriaqi, i konsideruar si maratonomaku shqiptar, nuk mungon jo vetëm me praninë e tij por edhe mesazhin e “Maratonës së Pavarësisë”.
Në çdo garë, është e rëndësishme fitorja. Por në këto 11 vite të “Maratonës së Pavarësisë” Shkodër- Ulqin, më e rëndësishme është pjesëmarrja e sidomos, mesazhi që përcillet për të gjithë shqiptarët anëkënd botës.