Margariti: Ditë e bukur për ta kaluar mes natyrës dhe trashëgimisë
Muzetë, parqet arkeologjike dhe kalatë në vendin tonë edhe këtë vit vijojnë të tërheqin një numër i lartë turistësh vendas dhe të huaj.
Vitet e fundit Ministria e Kulturës ka ndërmarrë nismën që turistët dhe vizitorët të dielave të vizitojnë falas muzetë dhe parqet arkeologjike në të gjithë vendin.
Ministrja e Kulturës ftoi sot qytetarët që të dielën e fundit të muajit tetor, ta shfrytëzojnë për të vizituar falas me familjet muzetë dhe parqet arkeologjike.
“Sot është e diela e fundit e muajit dhe hyrja në parqet arkeologjike dhe muzetë në varësi të Ministrisë së Kulturës është falas. Sot është një ditë e bukur për ta kaluar mes natyrës dhe trashëgimisë”, tha Margariti.
Kalatë historike të Shqipërisë, muzetë dhe parqet falë restaurimeve të kryera viteve të fundit janë kthyer në atraksione tërheqës për turistët vendas dhe të huaj.
Në Shqipëri ndodhen një sërë sitesh arkeologjike si Butrinti, Apolonia, Oriku, Amantia, etj, ndërsa nga kalatë janë kalaja e Gjirokastrës, kalaja e Lëkurësit, Sarandë, kalaja e Krujës, kalaja e Beratit, Kalaja e Petrelës, Tiranë, Kalaja e Ali Pashës, Tepelenë, kalaja e Rozafës, Shkodër etj.
Ndërsa nga muzetë përmendim Muzeun e Ikonografisë “Onufri” dhe Muzeu Etnografik në Berat, Muzetë Arkeologjikë në Durrës, Tiranë, Korçë, Muzeu i armëve dhe Etnografik në Gjirokastër, Muzeu Etnografik në Sarandë, Muzeu Historik Kombëtar, Tiranë, Muzeu Arkeologjik, Tiranë, Muzeu Historik, Shkodër etj.