Marin Beçikemi-Shkodrani, rektor i shkollave të Raguzës 529-vjet më parë
Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët përmes një publikimi online na njeh me historinë interesante të një arbëreshi të shquar, i cili pas largimit prej trojeve arbërore arriti të bëhej rektor.
Bëhet fjalë për Marin Beçikemi-Shkodrani, i cili 529 vjet më parë, regjistrohej si rektor i shkollave të Raguzës.
Marin Beçikemi lindi në Shkodër në vitin 1468. Në moshën 10-vjeçare, kur Shkodra ra nën sundimin osman prindërit e tij u zunë rob dhe ai së bashku me të afërm të tij u shpërngul në Bresha, në atë kohë pjesë e Republikës së Venedikut. Pas përfundimit të studimeve në Bresha, më 1492 Senati i Republikës së Raguzës, duke njohur aftësitë dhe njohuritë e tij të rralla në gjuhët, letërsitë dhe retorikën klasike, e ftoi të bëhej profesor, dhe më 22 tetor 1494 e zgjodhi Rektor të shkollave të Raguzës.
Këtu Beçikemi (sipas dokumentit Marinum Becichi de Scutaro pro Rectore et magistro scholarum) bëri emër si pedagog erudit dhe mendimtar humanist në vitet 1492-1496; 1504-1505, dhe në vitet 1508-1510.
Gjatë qëndrimit në këtë qytet, dhe pikërisht në vitin 1495, ai ia kushtoi veprën e parë të njohur Princit dhe Senatit të Raguzës, me titull: “Castigationes et observations in Virgilium, Ovidium, Ciceronem, Servium et Priscianum! Ai shkruajti komente mbi Ciceroni-n, Plini-n dhe filozofë të tjerë klasikë. Disa vite më vonë, ai u bë profesor i retorikës në Universitetin e Padovës.
1 nga 2