Markez largohet nga Honda, i bashkohet Ducati-t
Markez dhe Honda vendosin të marrin rrugë të ndryshme pas plot 11 vitesh bashkëpunim. Piloti spanjoll së bashku me shtëpinë japoneze kanë zyrtarizuar “divorcin” në vitin e fundit të kontratës.
Gjatë këtij bashkëpunimi Markez dhe Honda fituan plot 6 herë titullin kampion bote ndërsa arritën 59 fitore, 101 pode dhe 64 xhiro të shpejta.
Në fillimin e vitit 2020 Markez pësoi një aksident ku dëmtoi krahun. Pas këtij episodi piloti humbi shumë terren pasi iu nënshtrua edhe tri operacioneve të tjera deri në 2022. Kalvari i gjatë i dëmtimeve ka bërë që Markez të humbë shumë gara.
Sipas ekspertëve të merkatos Markez brenda pak ditësh do të bëjë me dije transferimin tek skuadra satelite e “Ducati”-t, “ Team Gresini”. Në këtë ekip Mark Markez gjen të vëllanë, Aleksin.