Marku: Banorët e prekur nga tërmeti, pa bonus qiraje prej 10 muajsh
Sekretarja për Pushtetin Lokal dhe Decentralizimin në Partinë Demokratike, Alfrida Marku u shpreh sot në një deklaratë për mediet nga selia e kësaj partie, se kur kanë kaluar mbi 4 vite nga tërmeti i 26 nëntorit, abuzimet sa vijnë e dalin në dritë.
“Partia Demokratike po ndjek me shqetësim gjendjen e mijëra familjeve në Bashkitë Durrës, Vorë, Kurbin e Lezhë, për të cilat ende nuk ka zgjidhje apo po zvarritet përtej çdo afati të arsyeshëm procesi i rindërtimit apo rikonstruksionit të banesave të tyre, e që prej 10 muajve nuk marrin bonusin e qirasë”, tha Marku.
Sipas saj, mbi 2500 familje në Durrës, 841 familje në Kurbin, 400 familje në Vorë, janë pa shtëpi, të papunë, e prej 10 muajve edhe të pastrehë për shkak të ndërprerjes pa asnjë sqarim të bonusit e qirasë. Po ashtu, vijoi Marku, për 53 familje në bashkinë Lezhë ende nuk ka asnjë plan konkret për rindërtimin e banesave të tyre.
Marku kërkoi në emër të PD transparencë se ku kanë përfunduar 92 miliard lekë të alokuara nga Buxheti i shtetit, nga taksapaguesit shqiptarë, për të rehabilituar pasojat e tërmetit, grantet dhe kreditë e buta të konferencës së donatorëve.
“Në emër të Partisë Demokratike, duke ndjekur me shqetësim situatën e vështirë të mijëra familjeve në Durrës, Kurbin, Vorë e Lezhë, i bëjmë thirrje Qeverisë dhe Bashkive respektive, ti japin fund abuzimeve dhe zvarritjeve pa arsye dhe të marrin në mënyrë urgjente masat e duhura për përfundimin e procesit të rindërtimit, e deri atëherë të mundësojnë detyrimisht pagesën e qirasë për secilën familje”, theksoi ajo.
Marku kërkoi po ashtu nga autoritetet kompetente hetimin e plotë të procesit të Rindërtimit.