Marok/ Tërmeti i fuqishëm me magnitudë 6.8 shkakton 300 viktima në Marakesh
Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.8 goditi Marokun natën e së premtes, duke vrarë rreth 300 njerëz dhe duke dëmtuar ndërtesa në qytetin historik të Marakeshit.
Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS) tha se kjo është lëkundja më e fortë në këtë pjesë të Afrikës Veriore prej më shumë se një shekulli.
Tërmeti ra në vargmalin malor të Marokut menjëherë pas orës 23:00 me kohën lokale në një thellësi relativisht të ulët prej 18.5 kilometrash.
Epiqendra u përcaktua rreth 72 kilometra në jug-perëndim të Marakeshit, një qytet me rreth 840 mijë njerëz dhe një destinacion turistik.
Të paktën 296 njerëz janë vranë dhe 153 të tjerë janë plagosur, tha të shtunën Ministria e Brendshme e Marokut.
Shumë marokenë kaluan natën në rrugë nga frika e pastërmeteve. Autoritetet shëndetësore gjithashtu bënë thirrje që të dhurohet gjak për të ndihmuar viktimat.
Shumica e jetëve të humbura u regjistruan në zonat malore ku arrihej me vështirësi, thanë autoritetet dhe ekipet e shpëtimit.
“Ju kujtojmë që të tregoni kujdes dhe të merrni masa sigurie për shkak të rrezikut të pasojave,” shkroi ushtria marokene në rrjetin social X.
Qyteti i vjetër i Marakeshit ka një histori afro 1-mijëvjeçare dhe mbrohet si trashëgimi botërore nga UNESCO.
Ish-qyteti perandorak është i mbushur me pallate të epokës mesjetare, xhami, kopshte dhe tregje të ngushta. Qendra e vjetër e qytetit është e rrethuar me mure prej balte të kuqe dhe e mbushur me ndërtesa të ndërtuara me gur ranor të kuq, i cili i ka dhënë qytetit pseudonimin “qyteti i kuq”.
Muret u shtruan për herë të parë në fillim të shekullit të 12-të dhe disa nga rrugicat janë dëmtuar prej tërmetit.
Para pandemisë së COVID-it, Marakeshi tërhiqte gati tre milion turistë në vitin 2019.
Përveç kulturës dhe historisë së pasur, Marakeshi është gjithashtu qyteti i katërt më i madh i Marokut dhe një qendër kryesore ekonomike.
Tronditja u ndje edhe në kryeqytetin Rabat, rreth 350 km më në veri të epiqendrës. /CNN