Marrëveshja- Kthehen në Itali 7 emigrantët e vendosur në Gjadër
Kanë mbërritur në mesnatë në Brindizi, (Itali) 7 emigrantët të cilët ishin vendosur në kampin e Gjadrit në Lezhë. Ata u nisën mbrëmjen e djeshme (11 nëntor) në orën 19:00 nga porti i Shëngjinit me anijen e rojës Bregdetare “Visalli”.
Grupi i dytë i emigrantëve, u kapën në det e me anijen e marinës italiane “Libra” zbarkuan në Shëngjin 3 ditë më parë. Por ditën e djeshme (11 nëntor) Gjykata e Romës, seksioni i imigracionit, vendosi të pezullojë vendimin për ndalimin e tyre dhe çështjen t’ia kalojë Gjykatës Europiane të Drejtësisë.
Qeveria italiane më 21 tetor miratoi një dekret ligjor për të rishikuar listën e “vendeve të sigurta”.
Pas shpëtimit të tyre në det, emigrantët i nënshtrohen një kontrolli paraprak, dhe vetëm ata që përmbushin kushtet paraprake, që duhet të jenë vetëm burra, jovulnerabël dhe të vijnë nga vende të konsideruara të sigurta sipas legjislacionit evropian, do të dërgohen në qendrat e pritjes në Shqipëri.