Marrëveshja mes palëve, grupi i dialogut për “Reformat” mblidhet sot
Këtë të enjte në orën 10:00 në sallën e Komisionit parlamentar të Ligjeve do të konstituohet grupi i dialogut për ligjet e nevojshme që kërkojnë shumicë të cilësuar.
Aminstia Penale pritet të jetë dokumenti i parë në tryezën e grupit të punës e cila, nëse ka dakordësi do të kaloj në seancën plenare të javës së ardhshme.
Mekanizmi i dialogut do të ketë 3 anëtarë nga opozita dhe 3 nga mazhoranca. Për socialistët në këtë strukturë do të jenë Klotilda Ferhati, Damian Gjiknuri dhe Toni Gogu.
Teksa nga opozita deri tani është konfirmuar Oerd Bylykbashi dhe Erisa Xhixho. Të gjithë deputetët janë pjesë aktive e Komisionit të Ligjeve që nga nisja e kësaj legjislature.
Ngritja e këtij mekanizmi dialogu mes palëve u bë pas dakordësisë mes mazhorancës dhe opozitës për rikthim në veprimtarinë normale parlamentare.
Ky grup pritet të marrë vendime me konsensus për ligjet që duan 84 vota, përfshirë reformën zgjedhore.