Marrëveshja për emigrantët, Rama: Shtyrja e hapjes së kampeve, çështje e Italisë. Problem do të jetë funksionimi
Hapja e qendrave pritëse për emigrantët në Gjadër dhe Shëngjin është shtyrë dhe për kryeministrin Edi Rama kjo është përgjegjësi e shtetit italian. Në një intervistë për “La Republica”, Rama theksoi se Shqipëria e ka përmbushur detyrimin e saj duke ofruar disponueshmëri dhe tokë, por pjesa tjetër i takon shtetit fqinj.
Megjithatë, Rama shton se kampi do të hapet pas disa muajsh, por tregohet skeptik lidhur me funksionimin e tij. Sipas kreut të qeverisë shqiptare, burokracitë italiane dhe rregullat europiane do ta bëjnë të vështirë menaxhimin e 3 mijë personave për 28 ditë.
“Shqipëria ofroi disponueshmëri dhe tokë, por asgjë më shumë. Qendra do të jetë gati për disa muaj gjithsesi, por kjo nuk është asgjë! Por problemi do të jetë funksionimi i tij! Dhe do të jetë shumë e vështirë për procedurat: si do të menaxhoni 3000 persona në 28 ditë me burokracitë italiane dhe rregullat evropiane?”, ka thënë Rama.
Kujtojmë se marrëveshja mes Ramës dhe Melonit parashikon që emigrantët që mbërrijnë në Itali të kthehen në Shqipëri dhe të qëndrojnë aty derisa vendi fqinj të përcaktojë nëse ata do të kthehen mbrapsht për në vendin e origjinës apo do të pranohen në Itali.