Marrëveshja PS-Rithemelimi, opozita rikthehet në komisione. Bushka-Çupi: Zhvillim pozitiv
Komisionet në Kuvend i janë rikthyer punë dhe normalitetet pas marrëveshjes së arritur mes PS dhe Rithemelimit, ku opozita braktis skenarët e zhurmës për të mos lejuar mbajtjen e tyre.
I pari që ka nisur punën ditën e sotme (18 mars) ka qenë Komisioni i Ligjeve, ku opozita është rikthyer duke lejuar zhvillimin normal të punimeve dhe diskutimin e ligjeve në interes të qytetarëve dhe vendit.
Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka dhe deputetja e opozitës Dhurata Çupi përshëndetën kthimin e opozitës në punimet e komisionit duke e parë këtë si një zhvillim mjaft pozitiv.
“Më vjen mirë që jemi të gjithë kthyer në sallën e mbledhjes për t’i dhënë dhe më shumë rëndësi interesit publik dhe uroj punime të mbarë komisionit”, tha Bushka.
“Opozita përshëndet kthimin në normalitet të punës së komisionit të ligjeve. Është e papranueshëm që komisioni i ligjeve që zbaton ligjshmërinë dhe zbatimin e rregullave, ka 6 muaj që ishte nën shinat e paligjshmëri. Kthimin e deputetëve të opozitës i shikoj si një zhvillim shumë pozitiv”, tha Çupi.
Mazhoranca dhe grupi i Rithemelimit gjetën dakordësinë lidhur me kthimin në normalitet të jetës parlamentare dhe ranë dakord për ngritjen e 2 komisioneve hetimore të kërkuara nga opozita, ajo për rrjedhjen e të dhënave dhe ndërhyrjen në sistemin TIMS si dhe komisioni hetimor për koncesionet e dhëna në Shëndetësi.