Marrëveshja Shqipëri – Itali për emigrantët, BE : Çdo marrëveshje duhet të respektojë ligjin ndërkombëtar dhe atë europian
Çdo marrëveshje që Italia arrin me Shqipërinë në lidhje me përpunimin e kërkesave për azil të migrantëve duhet të respektojë ligjin ndërkombëtar dhe atë europian. Kështu u shpreh këtë të martë zëdhënësja e komisionit europian Anita Hipper në lidhje me paktin për migracionin njoftuar një ditë më parë nga kryeministri Edi Rama dhe homologia e tij Xhorxhia Meloni.
“The guardian” thotë se marrëveshja ka kapur në befasi Komisionin Europian. Hipper gjithashtu bëri të ditur se autoriteteve italiane iu ishte kërkuar të jepnin detaje për marrëveshjen që më pas të jepeshin vlerësime për të. Sipas “The guardian”, marrëveshja gjithashtu hap perspektivën e dërgimit të migrantëve nga ujërat ndërkombëtarë drejt Shqipërisë, për të shmangur hyrjen e migrantëve të tjerë në territorin e Italisë, por ndërkohë sipas ligjit europian, këkesat për azil të migrantëve që zbarkojnë në territorin e BE-së ose ndodhen në ujërat kombëtare të vendeve anëtare duhet të përpunohen në BE. Dhe sipas ligjit ndërkomëtar, migrantët kanë të drejtë të mbrohen nga transferimi nga jurisdiksioni i një shteti kur ata mendohet se mund të jenë në rrezik. “The guardian” vuri në dukje faktin se marrëveshja mund të duket si frut i parë i një kuadri për të cilin dy liderët ranë dakord muajin e shkuar në Granada të Spanjës, ku u përfshinë edhe presidentja e Komisionit Europian, presidenti francez dhe kryeministrat e Britanisë së Madhe dhe Hollandës. Por në planin me tetë pika për të cilin ata ranë dakord nuk përmendej fakti që përpunimi i kërkesave të azilit do të kryhej në ndonjë vend jo europian, siç mendohet të bëhet në Shqipëri përmes marrëveshjes Rama-Meloni.
Marrëveshja ndërkohë është kundërshtuar nga opozita në Itali. Sekretarja e Partisë demokratike në atë vend Elly Shlein thotë se ajo është në kundërshtim të hapur me ligjin ndërkombëtar dhe atë europian. “Xhorxha Meloni, duhet që pikësëpari të bindë aleatët e saj nacionalistë në Europë për të ndarë barrën e migracionit dhe mos ta lërë Italinë vetëm” vijoi më tej Shlein.