Marrëveshja Shqipëri-Itali për emigrantët, Kushtetuesja shtyn seancën më 29 janar
Gjykata Kushtetuese ka shtyrë sërish vendimin e saj lidhur me marrëveshjen për emigrantët mes Shqipërisë dhe Italisë. Kushtetuesja u mblodh sot ku dhe i komunikoi palëve të interesuar provat shtesë që kishte kërkuar si dhe la datën 29 janar në orën 10.00 duke i lënë kohë palëve të shohin provat apo kundërshtojnë ato.
“Sot në datën 24.01.2024, Gjykata Kushtetuese zhvilloi seancën plenare të radhës për shqyrtimin e kërkesës së paraqitur nga 30 deputetë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, me objekt: “Deklarimi i papajtueshëm me Kushtetutën të Protokollit ndërmjet Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë “Për Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Migracionit” dhe ndalimi i ratifikimit të tij nga Kuvendi. Pezullimi i procedurave për ratifikimin e Protokollit ndërmjet Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë “Për Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Migracionit” ”.
Gjatë shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese konstatoi se në datën 23.01.2024, ora 15:55, kërkuesi ka paraqitur parashtrime shtesë me shkrim, në përmbajtje të të cilave kërkohej edhe marrje e disa provave. Parashtrimet shtese iu komunikuan për dijeni subjekteve të interesuara në datën 24.01.2024, ora 9:30.
Në këto rrethana, Gjykata bazuar në nenet 43 pika 1 shkronja “ë” dhe 44/a të ligjit organik të saj, që parashikon të drejtën e palëve të kundërshtojnë kërkesat, përfundimet dhe shpjegimet e palëve të tjera, vendosi të shtyjë seancën gjyqësore të radhës në datën 29.01.2024, ora 10.00”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata mori në shqyrtim çështjen, ku 30 deputetë të Kuvendit kërkojnë ndalimin e ratifikimit të tij nga Kuvendi dhe pezullimin e procedurave për ratifikimin e Protokollit ndërmjet Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, “Për Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Migracionit””.
Ndërsa sot Dhoma e Deputetëve të Itali miratoi projektligjin për ratifikimin e Protokollit Itali-Shqipëri për emigrantët, “për forcimin e bashkëpunimit në çështjet e migracionit”.