“Marubi” çel ekspozitën e re/“Vëllezërit Kodheli dhe Idromeno” do të qëndrojë e hapur për publikun deri në nëntor
Muzeu “Marubi” e festoi Ditën Ndërkombëtare të Fotografisë me çeljen e ekspozitës më të re “Vëllezërit Kodheli dhe Kolë Idromeno”. Koleksioni prej 205 imazheve fotografike të kuruara nga Luçjan Bedeni erdhi në bashkëpunim me Institutin e Antropologjisë të Akademisë së Shkencave të vendit tonë.
Përmbajtja e ekspozitës ka në fokus dy atelietë e para të fotografisë në vendin tonë “Marubi” dhe “Idromeno” përmes aktivitetit të tyre në pasqyrimin e jetës së qytetit në fillimin e shek. XX. Ekspozita në fjalë finalizon digjitalizimin e plotë të arkivit “Idromeno”.Drejtuesi i Institutit të Antropologjisë Olsi Lelaj vlerëson kontributin e personave në ruajtjen dhe konservimin e këtyre koleksioneve me rëndësi historike.Ekspozita fotografike “Vëllezërit Kodheli dhe Idromeno” është e dyta për këtë vit e Muzeut “Marubi”. Ajo pason ekspozitën “Felice Beato dhe Adolfo Farsari. Dy italianë në Lindjen e largët 1863-1890”. Ekspozita “Vëllezërit Kodheli dhe Idromeno” do të qëndrojë e hapur deri me 10 nëntor të këtij viti.