“Marubi” dhe “Alinari”, marrëveshje bashkëpunimi/ Muzeu i fotografisë pritet të nisë një seri projektesh të reja nga viti 2024
Muzeu i Fotografisë “Marubi” mirëpriti në hapësirën e tij drejtues të një prej pasurive arkivore më të rëndësishme të fqinjit përtej Adriatikut Italisë, Fondacionin Alinari. Arkivi i tyre përveç faktit që është më i vjetri, përmban 5 miljon artefakte që datojnë që nga viti 1841 e deri në ditët tona.
Presidenti i Fondacionit Alinari vlerëson bashkëpunimin me Muzeun “Marubi” dhe evidenton ngjashmëritë historike të këtyre arkivave. Drejtuesi i muzeut Luçjan Bedeni foli në lidhje me projektin e krijimit të një shkolle fotografie, e cila pritet të konkretizohet vitin që vjen.Në fund të prezantimit, mes drejtuesve të Muzeut “Marubi” dhe Fondacionit “Alinari” u nënshkrua edhe një marrëveshje bashkëpunimi. Publiku shkodran ka patur mundësi edhe më herët të njihet me një pjesë të Arkivit “Alinari” përmes ekspozitës “Italiae” çelur në muajin shkurt në Galerinë e Arteve të Shkodrës.