“Marubi”, ekspozitë online/”Paraphernalia” titullohet ekspozita që muzeu e prezantoi në rrjetet e saj sociale

Muzeu Kombëtar “Marubi” ka çelur ekspozitën e parë për këtë vit ndryshe nga herët e tjera pasi ajo vjen me imazhe online. “Paraphernalia” titullohet kjo ekspozitë që muzeu e prezantoi përmes rrjeteve të saj sociale. Ajo ka në thelb parfumet dhe kuratori i saj është Lekë Gjeloshi.
Fotografitë e paraqitura online janë të mjeshtrit Shan Pici, studio fotografike e të cilit këtë vit përkon me 100-vjetorin e themelimit të saj. Në rrjetin social në Facebook, faqja e muzeut “Marubi” e shoqëron përshkrimin e saj me fragmente nga “Shishja e vogël” (“Le Flacon”) e autorit Charles Baudelaire dhe e përkthyer nga Primo Shllaku.
“Me shpejtësinë e beftë të shikimit, kur ai don me i rrokë përnjiherë impulset, dizajni i atyne shisheve, drita eterike e mbrapaskenës së pezullt, kaligrafitë e etiketat, portretet e damave, format e shkallëzueme e peshtahet, evokonin aspirata mondane e botë të largta. Tregonin, gjithashtu, për seriozitetin me të cilin këto produkte ishin konceptue e qitë në treg”, vijon përshkrimi në faqen e muzeut në Facebook.
Në vitin 2013, Fototeka Kombëtare “Marubi” botoi për Shan Picin një album, të fokusuar mbi peizazhin, zhanër për të cilin ai ishte një pionier në fotografinë shqiptare. E, megjithatë, edhe ky aspekt, njësoj si imazhet e kësaj trajtesë, mbeten veç kahe të nji aktiviteti të larmishëm, që la pas rreth 54 000 negativë në xham e celuloid.
Drejtues të Muzeut “Marubi” premtuan në fundin e vitit që lamë pas se gjatë vitit 2024 pritet realizimi i projekteve të rëndësishme të lidhura me imazhin. Mbetet për t’u parë se cilat do të jenë ato ndërsa ky muze përfaqëson një pjesë të rëndësishme të dokumentimit të historisë së vendit tonë përmes fotografive të shkrepura nga Marubët.

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.